Intervistë
Intervistë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tina S. Kajdanov
NJË MESAZH POZITIV PËR KOSOVËN
"Në Kosovë është arritur sukses thelbësor. Tash jeni shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe qeverisni veten". Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së dhe emërimi i saj si ambasadore e SHBA-së në Kosovë, Ambasadorja Tina Kajdanov flet për gazetë kosovare. Ndihet mirë për gjithçka ka arritur Kosova.
“Kosova Sot”: E nderuara ambasadore, a është e vështirë të përfaqësoni Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, dhe të jeni ambasadorja e parë e SHBA-së në Kosovë?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Jo. Në të vërtetë, mendoj se është kënaqësi e madhe dhe privilegj. Më duhet të ju them se ka qenë nder për mua të emërohem si ambasadore në Kosovë. E kam ndier vetëm shumë mirë për këtë. Veçanërisht u ndjeva mirë që liderët e Kosovës morën pjesë në ceremoninë time të betimit. Me të vertëtë ishte kënaqësi e madhe, dhe familja ime u takua me udhëheqësinë e Kosovës, gjë që vërtetë ishte ndjenjë e mirë edhe për ta. Mendoj se të qenit këtu në këtë kohë është shumë e rëndësishme. Të punosh për një të ardhme më të mirë për Kosovën është shumë e rëndësishme, dhe ndihem e privilegjuar që nga kjo pozitë mund të ndihmoj Kosovën në çdo mënyrë të mundshme, dhe kjo është ajo për çka unë jam këtu.
“Kosova Sot”: Si e përshkruani vizitën e liderëve kosovarë në SHBA?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Ishte një sukses i jashtëzakonshëm, pothuajse në çdo aspekt. Së pari, ishte mirë për udhëheqësinë time që të dëgjojë përkushtimin e lidershipit kosovar për të mbajtur stabilitetin këtu, për t’u munduar për të bërë gjëra për përparimin e zhvillimit ekonomik; për t’i dëgjuar zotimet e tyre për vazhdimin e kontakteve me komunitetet pakicë; t`i dëgjosh ata duke folur për gjitha ato gjëra që ata i kuptojnë si përgjegjësi të tyre. Këto ishin shumë të rëndësishme. Në anën tjetër, mendoj se ishte e rëndësishme, për liderët e Kosovës, dhe për popullin e Kosovës, që të dëgjojnë nga liderët e mij për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për Kosovën, për stabilitetin e Kosovës, për stabilitetin e rajonit, dhe mendoj se të dyja palët ishin shumë të kënaqura me ato q ë dëgjuan (nga njëri-tjetri). Kam përshtypjen që kjo me të vërtetë i ka inkurajuar qytetarët e Kosovës, dhe se ata janë ndier shumë mirë nga kjo vizitë. Ky edhe ishte qëllimi ynë.
“Kosova Sot”: Presidenti Bush ka shprehur një qëndrim të qartë për sovranitetin e Kosovës. Çka konkretisht do t`i ndihmojë SHBA-ja liderët e Kosovës, në mënyrë që të kemi stabilitet në veri të vendit?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Para së gjithash, më lejo të them – dhe e kuptoj që ka shumë fokusim për veriun, kjo është e natyrshme, mirëpo më duhet te them - se në renditjen e sfidave të Kosovës, nuk e shoh veriun si sfidë primare, dhe mendoj se Kosova përfundimisht do të kishte më shumë përfitim nëse e zhvendos vëmendjen më të madhe te disa çështje lidhur me të cilat mund të arrihet shumë përparim për një kohë relativisht të shkurtër. Kur Presidenti (Bush) foli për veriun, ai ishte shumë i qartë sa i përket integritetit të Kosovës. Ne e ndjejmë këtë fuqimisht dhe do të vazhdojmë të ndjehemi ashtu. Më duhet ta potencoj se ne nuk jemi të vetmit që ndihemi kështu. Edhe vetë komuniteti serb ka folur për rëndësinë e ruajtjes së integritetit të Kosovës. Kështu që, të gjitha këto janë të rëndësishme, por ende mbetet shumë për të bërë, dhe mënyra për të inkurajuar integrimin e serbëve në Kosovë është duke e bërë kosovën model, për të dëshmuar se ka potencial ekonomik, për të dëshmuar se ekonomia mund të zhvillohet fuqimisht. Nëse mund të fokusohemi në këto gjëra, mendoj se gjasat janë shumë më të mëdha. Nuk mund ta imponosh sovranitetin, por mund ta bësh tërheqës. Dhe shpresoj se lidershipi dhe njerëzit mund të fokusohen në këto gjëra.
“Kosova Sot”: Si e komentoni procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Mendoj se po ecën përpara. Dhe mendoj se shpejtë do të shohim një dinamikë të përshpejtuar të atij rikonfigurimi. Natyrisht, ka pasur shumë diskutime dhe planifikim – sigurisht, këto janë pyetje që më parë duhet bërë z. Zannierit, e jo mua - por jam e kënaqur se po shohim, dhe do të shohim në javët e ardhsme, një dinmamikë të përshpejtuar të rikonfigurimit, në një mënyrë të rëndësishme dhe që e lejon BE-në që të bashkangjitet dhe të marrë disa përgjegjësi që do të duhej ti merrte.
“Kosova Sot”: Kur mendoni se do të fillojë punën EULEX-i?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Është një proces, nuk është diçka që ndodhë brenda natës, me orar të vendosjes që zhvillohet për disa javë. Mendoj se do të fillojë shumë shpejtë, dhe prapë, mendoj se nuk është një pyetje aq për mua, sa është për z. De Kermabon, por në rregull. Dhe, në fund, mendoj se ne që jemi në bashkësinë ndërkombëtare, e vështrojmë me kujdes këtë proces. Të gjithë jemi të kënaqur që është bërë shumë planifikim për realizimin e kësaj. Jam e bindur se në disa javët e ardhshme – e dini se vera gjithmonë është disi më e ngadalshme – sa të hyjmë në vjeshtë, do të ketë shenja të qarta të kësaj vendosjeje, dhe do të shihni se gjërat me të vërtetë po lëvizin. Pra, prapë mendoj se është mesazh pozitiv për krejt popullin e Kosovës dhe krejtë Kosovën.
“Kosova Sot”: Presidenti Bush ka nënshkruar një dekret për armatimin e Kosovës. A do të thotë kjo që të gjitha obligimet financiare për krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të kryhen nga SHBA-ja?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Jo, nuk është kështu. Mendoj se ka pasur një keqkuptim lidhur me atë se çka ky dokument nënkupton. SHBA-ja ka për qëllim që të ndihmojnë në ngritjen FSK-së, në atë mënyrë që plotësisht përputhet me NATO-n. Me fjalë tjera, NATO-ja ka rolin udhëheqës në këtë, NATO do të vendosë se çka duhet për këtë Forcë, tashmë është formuar fondi i mirëbesimit në NATO për të vetëmbajtur ngritjen e FSK-së. SHBA-të kanë për qëllim të bëjnë disa gjëra të cilat që nuk kanë të bëjnë me armatosjen e Kosovës. Të jem e qartë: Ne nuk jemi këtu që të armatosim Kosovën. Ne jemi këtu që të mbështesim ngritjen e FSK-së që do të duheshte të ketë detyra lidhur me operacionet ndërkombëtare të paqeruajtjes. Me fjalë të tjera, do të duheshte të fokusohet në ato gjëra që mundësojnë kontributin për forcat ndërkombëtare paqeruajtëse, në aspekte të përcaktuara shumë qartë. Ndoshta përmes deminimit, ndoshta përmes gjërave tjera. Këto janë pra, ato gjëra për të cilat do të shihnim se a mund të ndihmojmë me paisje, etj.
Edhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme këtu është themelimi i një ministrie civile që do të mund të ndihmojë mbikqyrjen të KSF-së, dhe këtu ne do të mundohemi të ndihmojmë. Pra, këto janë gjëra që ne do të mundohemi t’i bëjmë, e jo të armatosim Kosovën.
“Kosova Sot”: E nderuara ambasadore, a ka vdekur plani i Ahtisarit, ose a është e mundshme që ky plan të zbatohet 100 për qind?
Ambasadorja Tina Kajdanov: E them fuqishëm që plani i Ahtisarit nuk është fare i vdekur. Para së gjithash, duhet të them se plani i Ahtisarit është një plan shumë praktik dhe i mirë, për shkak se mundohet të implementojë të drejtat e pakicave në tërë Kosovën. Poashtu, është një plan që është marrë përsipër lirisht. Me fjalë të tjera, njerëzit e Kosovës e kanë pranuar si plan, dhe si plan të cilin ata do ta ndihmojnë, dhe janë përkushtuar që ta zbatojnë, sepse ishte i rëndësishëm si garancion ndaj bashkësisë ndërkombëtare, se ata në fakt, mund të bëhen një shtet i pavarur. Pra, ju duhet të keni mbikqyrje ndërkombëtare, ju duhet prapë të këni përkushtim për komunitetet pakicë të Kosovës, veçanërisht për komunitetin serb. Ështe tepër shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të përmbushë këto zotime. Ne shpresojmë shumë se edhe komuniteti serb do të ofrojë mbështetjen politike për këto përpjekje. Unë nuk mund të garantoj këtë, por është absolutisht thelbësore që Kosova të vazhdojë t’i bëjë këto gjëra që të tregojë se vepron me qëllime të sinqerta, ashtu siç e tha se do të veprojë qysh në fillim të këtij procesi. Deri tani, mendoj se Qeveria e ka treguar këtë përkushtim. Ka raste të veçanta kur ne duhet të punojmë me komuna për të siguruar që edhe ata i përmbushin këto zotime. Por, prapë, mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme që plani i Ahtisaarit të përmbushet.
Fundi i pjesës së parë të intervistës
“Kosova Sot”: Si e komentoni Kushtetutën e Kosovës?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Mendoj se, para së gjithash, Kushtetuta e Kosovës ka qenë një përpjekje shumë e rëndësishme e qytetarëve të Kosovës. Me fjalë të tjera, të gjithë kanë kontribuar, përfshirë akademikët, ekspertët ligjorë, figurat politike, shoqërinë civile, të gjithë ata kontribuan në atë proces. Kjo është e rëndësishme. Nuk ishte diçka e imponuar nga jashtë. Elementet e Kushtetutës që përmbajnë zotimet nga plani i Ahtisarit janë të rëndësishme, janë shumë të rëndësishme. Sidoqoftë, e gjithë pjesa tjetër e Kushtetutës, çdo gjë në të, mënyra se si Kosova e qeveris veten, gjitha këto gjëra që kanë hyrë në Kushtetutë u debatuan, diskutuan, dhe me të vërtetë, njerëzit në atë Komision dhanë gjithçka nga vetja për këtë. Dhe mburrja që ata e ndjenë, dhe mburrja që Kosova pati kur ai proces u krye, mendoj se ishtje një mburrje legjitime. Ata a ndien vetën mirë që mundën ta bëjnë këtë. Ata e kryen këtë brenda një kohe të arsyeshme, e bënë me një pjesëmarrje të gjërë, e bënë me kontribut nga publiku, patën shumë kontakte me bashkësitë në terren, sidomos kur ndodhi pavarësia, shkuan në qytete, biseduan për këtë, morën komente përmes Internetit dhe mënyrave tjera. Mendoj se Kosova mund të ndihet mirë për atë Kushtetutë, dhe mendoj se njerëzit duhet të jenë vërtetë të impresionuar me nivelin me të cilin ata e prodhuan atë dokument.
“Kosova Sot”: Si e komentoni procesin e njohjes së shtetit të Kosovës?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Mendoj se kemi parë progres të mirë. Para së gjithash, kemi pasur 43 njohje, më shumë se dy të tretat e shteteve të BE-së dhe NATO-s e kanë njohur, i tërë G-7. Nëse shikojmë me GDP, kemi njohje nga pothuaj të gjitha shtetet më të fuqishme dhe më të rëndësishme të botës. Natyrisht se ka vend edhe për më shumë punë. Besoj se do të ketë më shumë njohje. Nuk dua të parashikoj se sa shpejtë do të ndodhin disa njohje të reja. Më besoni, çështje kyçe është të mbahet stabiliteti në Kosovë, sepse ato shtete që po mendojnë të njohin apo të mos njohin Kosovën, ato dëshirojnë të shohin stabilitet të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të vazhdueshme nga ana e Qeverisë në politikat e saja. Deri tash, mendoj se jemi në rrugë të duhur, dhe shpresoj se do ta mbajmë këtë rrugë. Sigurisht, është e rëndësishme që Qeveria të bëjë përpjekje, por poashtu është e rëndësishme që edhe të tjerët të flasin, qoftë në shoqërinë civile apo diku tjetër, të flasin në mënyrë pozitive në emër të shtetit të tyre. Dhe shpresoj se ata do ta bëjnë këtë.
“Kosova Sot”: A kanë bërë mjaft liderët e Kosovës në lobimin për njohjen e pavarësisë?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Mendoj se kanë bërë mjaft shumë, dhe jam e sigurtë se do të bëjnë edhe më shumë. Siç e dëgjuat edhe nga Presidenti, ne do të bashkëpunojmë shumë në atë përpjekje. Nuk është diçka që Kosova mund ta bëjë vetëm, por, prapë, është diçka në të cilën Kosova duhet të marrë nisjativë të fortë. Pra, mendoj se përpjekjet tona, jo vetëm të SHBA-ve, por qartësisht, edhe të të gjithë aleatëve evropianë, dhe të tjerëve që mbështesin Kosovën, pra, ne duhet të mbështesim shumë në procesin e njohjes, dhe në këtë front Kosova duhet të jetë sa më shumë aktive që është e mundshme. Dhe, unë mendoj se kanë qenë aktivë, dhe kanë qenë aktivë.
“Kosova Sot”: Na flisni pak për njohjen nga fqinjët tanë, njohje që është shumë e rëndësishme. Kur mendoni se do të ndodhë?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Nuk do të jap afat kohor, por mendoj se edhe maqedonasit edhe malazezët, dhe qartësisht, këta janë me të cilët preokupohet Kosova, kanë thënë se kjo është diçka që ata janë duke e konsideruar fuqimisht, dhe se ata do të marrin vendim në kohë të përshtatshme. Në fakt, Qeveria e Maqedonisë ka thënë se çështja nuk është se a do të ketë, por kur do të bëhet (njohja). Dhe, prapë, ata do të gjejnë momentin e përshtatshëm, besoj në këtë. Në ndërkohë, mendoj se është e rëndësishme që procesi i demarkacionit të kufirit të vazhdojë, në kuptimin teknik, dhe se nuk duhet të ketë pengesa ndaj atij procesi. Tashmë kemi marrëdhënie shumë të mira mes Maqedonisë dhe Kosovës, dhe shpresoj shumë se kjo do të vazhdojë.
“Kosova Sot”: Çfarë impakti pati pavarësia e Kosovës në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Mendoj se ne gjithnjë kemi shpresuar se pavarësia e Kosovës do të sjellë një stabilitet të përgjithshëm, dhe me kohë një stabilitet më të madh në rajon. Mendoj se ishte diçka që duhej të zgjidhej, nuk ishte diçka që ka mundur të zgjaste pafund, me vite e vite të tëra. Dhe ne besojmë se, nëse çdokush luan një rol përgjegjës në gjithë këtë, kjo do të jetë një faktor stabiliteti në të ardhmen. Kjo do të jetë çështje gjithmonë, dhe do të jetë çështje që duhet të trajtohet në mënyrë kreative. Në këtë aspekt, ne kemi parë reagime të mira nga një numër i shteteve në rajon, një pjesë e të cilave tashmë e kanë njohur Kosovën. Kjo është gjë e mirë, dhe shpresoj se kjo do të vazhdojë.
“Kosova Sot”: Vetëm ta sqarojmë, a jeni e kënaqur me rezultatin që ka sjellë pavarësia në këtë kontekst?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Jam e kënaqur. Jam e kënaqur, sepse deri tash, vendimet e përgjegjshme të udhëheqësisë së Kosovës kanë ndihmuar për të ruajtur stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Me këtë jam e kënaqur, pra. Dhe shpresoj shumë se ky është ai lloj i lidershipit të vazhdueshëm dhe të mirë që do ta shohim në të ardhmen.
“Kosova Sot”: A është Serbia në rrugën e demokratizimit?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Nuk dua të komentoj, sepse nuk është përgjegjësi imja të komentoj për demokratizimin në Serbi. Do të them se shqetësimi ynë primar këtu është për komunitetin e serbëve të Kosovës. Që të sigurojmë që ata të ndjejnë se edhe bashkësia ndërkombëtare edhe Qeveria e Kosovës u kushtojnë vëmendje adekuate. Për mua është shumë e rëndësishme që ata serbë të ndjejnë se edhe interesat e tyre mirren në konsideratë. Ne kemi investuar mjaft shumë para dhe kujdes për komunitetin e serbëve të Kosovës, në tërë Kosovën. Mendoj se edhe Qeveria dëshiron të ketë kontakte të tilla, dhe të bëjë të duhurën për atë komunitet. Prandaj, unë shpresoj se të gjithë do ta kuptojnë se fokusi i vërtetë duhet të jetë në jetën dhe mirëqenien e serbëve të cilët jetojnë në Kosovë. Kjo vlen për Qeverinë në Beograd, kjo vlen për ne, dhe kjo vlen për bashkësinë ndërkombëtare, dhe kjo vlen edhe për Qeverinë e Kosovës. Pra, do të duhej fokusim i vërtetë në atë se sa mirë jetojnë ata, çfarë tërheqje ka për ta që ata të dëshirojnë të jenë më afër institucioneve të Kosovës. Këto janë ato gjëra në të cilat duhet të fokusohemi.
“Kosova Sot”: E nderuara ambasadore, SHBA-ja është përkrahësja më e madhe e Kosovës edhe në zhvillimin ekonomik. Kemi 400 milionë dollarë të zotuara në Konferencën e Donatorëve. A keni ndonjë plan, a ka prioritete ku do të shfrytëzohen këto para?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Në fakt, kontribuesi më i madh nga kjo konferencë është BE-ja, dhe kjo është mirë. BE-ja ka kontribuar me një sasi shumë, shumë të rëndësishme të fondeve. Ne jemi të sigurtë se kjo do të vazhdojë të jetë kështu. Ne, poashtu, siç thatë edhe ju, do të vazhdojmë të kontribojmë mjaft shumë. Për 400 milionë dollarët të cilat i kemi destinuar për vitet e ardhshme, prioritetet janë caktuar në mënyrë shumë të kujdesshme, dhe ne shikojmë me shumë kujdes se si do të shpenzohen ato para. Prioritetet tona, në të vërtetë, dihen. Prioriteti kryesor yni është sundimi i ligjit në Kosovë. Kemi një numër projektesh që do të financojmë, dhe kemi financuar edhe më parë. Për shembull, sigurimi se gjithë gjykatësit dhe prokurorët janë të përshtatshëm, gjë që është shumë, shumë e rëndësishme për sundimin e ligjit këtu. Pra, sundimi i ligjit është me gjasë në krye të agjendës tonë. Zhvillimi ekonomik i Kosovës është poashtu shumë lartë në agjendën tonë. Kjo do të thotë se do të japim shumë ndihma për rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme. Kjo poashtu do të thotë se do të ketë shumë ndihmë të rëndësishme në sektorin e energjisë. Ka shumë gjëra të tilla në të cilat ne do të angazhohemi. Pjesa tjetër e buxhetit tonë të ndihmave ka të bëjë me mbështetjen e komuniteteve pakicë, si dhe për komunitetet shumicë, ne i bëjmë të dyja. Po, ne do të monitorojmë me tepër shumë kujdes mënyrën se si do të shpenzohen ato para. Nuk është se ne vetëm japim para. Ne poashtu sigurohemi se programet janë të kontrolluara me shumë kujdes.
“Kosova Sot”: E nderuara ambasadore, a është korrupsioni një “kancer” për Kosovën?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Mendoj se korrupsioni është problem shumë, shumë i madh për shumë shoqëri, dhe jo vetëm për Kosovën. Korrupsioni është problem në shumë vende. Më vjen keq të them se edhe në shtetin tim kemi probleme të këtilla. Çelësi është që të gjitha proceset të bëhen sa më transparente që është e mundshme. Kur proceset janë transparente, korrupsioni zhvillohet më vështirë. Pra, qoftë kur bëhet fjalë për emërime, apo çkado tjetër, ju duhet të keni procese transparente, dhe atëherë do të ketë më pak korrupsion. Kur ka më pak korrupsion, do të keni besim më të madh nga ana e investuesve, të cilët vijnë dhe thonë: po, mund ta ndiej veten mirë të investoj paratë e mia në Kosovë, të krijoj vende pune, industri. Po, Kosova mund të bëjë punë më të mirë në këtë aspekt, ashtu si çdo shtet tjetër mund të punojë më mirë në këtë aspekt.
“Kosova Sot”: Një mesazh për qytetarët e Kosovës?
Ambasadorja Tina Kajdanov: Do të thoja: Mendoni sa larg kemi arritur. Mendoni sa sa shumë kemi arritur vetëm në vitin e fundit, gjashtë muajt e fundit. Me të vërtetë, kur mendon për disa gjëra negative që kanë mundur të ndodhin, asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur. Kur mendon për gjërat pozitive: kemi bërë hapa të jashtëzakonshëm. Kosova tash është një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe sovran, në të cilin qeveria e tij mund të zhvillojë planet e zhvillimit ekonomik. Këto plane me siguri se janë përkrahur fuqimisht nga Konferenca e Donatorëve. Këto gjëra janë të jashtëzakonshme: Nuk i merr 1.2 miliardë Euro nëse nuk ke bërë përparim të jashtëzakonshëm. Pra, mendoj se duhet të fokusoheni në gjërat pozitive, por edhe të kuptoni se ata kanë përgjegjësinë të bëjnë më shumë progres. Dhe prapë, nuk mund t’ua imponosh sovranitetin atyre që nuk dëshirojnë ta pranojnë atë. Çka mund të bësh, është të kryesh me sukses projektet që i keni, ku njerëzit dëshirojnë të marrin pjesë. Unë besoj fuqimisht në këtë, dhe kjo është ajo për të cilën SHBA-të gjenden këtu, të ndihmojë Kosovën që të lëvizë përpara për të krijuar një shoqëri më të prosperuar për qytetarët e vet, dhe kjo pastaj do të çojë jo vetëm nga stabiliteti rajonal, por edhe nga të kuptuarit më të mirë të Kosovës nga të tjerët. Kjo më duket një vizion shumë pozitiv.
Intervistoi: Arben AHMETI, Kosova Sot